Ngaeditor

Pandemia COVID-19 ka nxitur një numër në rritje të firmave të vendeve të pasura që të zvogëlojnë varësinë e tyre nga zinxhirët globalë të furnizimit dhe që të investojnë më shumë në robotë në shtëpi. Por ndoshta është shumë shpejt për të kuptuar nëse ky kalim do të bëjë rritjen e produktivitetit në ekonomitë e përparuara.

Kjo rritje e ngadaltë duket paradoksale, duke pasur parasysh përparimet e shpejta në inovacionin digjital dhe inteligjencën artificiale. Siç kanë vërejtur Erik Brynjolfsson, Daniel Rock dhe Chad Syverson, “ne shohim teknologji të reja transformuese kudo përveç në statistikat e produktivitetit”. Por a mundet pandemia COVID-19 të ndihmojë në zgjidhjen e paradoksit, duke përshpejtuar përdorimin e robotëve nga firmat dhe inovacione të tjera të kursimit të punës, duke nxitur kështu rritjen e produktivitetit?

Kërkimet e fundit tregojnë se pandemia ka nxitur një numër në rritje të firmave të vendeve të pasura të zvogëlojnë varësinë e tyre nga zinxhirët globalë të furnizimit dhe të investojnë më shumë në robotë në shtëpi. Kjo ndodh ngaqë pandemia ka ndryshuar kostot relative të këtyre dy modeleve të prodhimit. Zinxhirët e furnizimit global janë bërë më të kushtueshëm dhe më të pasigurt, me shumë firma që parashikojnë ndërprerje të mëtejshme të lidhura me ndërprerjen e prodhimit nga lock-down. Në të njëjtën kohë, ulja e normave të interesit gjatë krizës së vazhdueshme ekonomike ka mundësuar financim më të lirë, duke ulur kështu koston e një roboti në krahasim me atë të një punëtori.

Si rezultat, firmat në vendet e zhvilluara pritet të rikthejnë prodhimin – nga Kina, për shembull – dhe të investojnë në robotë gjermanë ose amerikanë në vend. Rritja e pasigurisë për shkak të pandemisë mund të zvogëlojë aktivitetin global të zinxhirit të furnizimit me 35%. Kjo ulje, e shoqëruar me norma më të ulëta interesi, mund të rrisë adoptimin e robotëve në vendet e pasura me 76% (megjithëse edhe këtu, pasiguria në rritje mund të pengojë investimet).

Nëse kalimi nga zinxhirët e furnizimit në robotë do të sjellë rritjen e produktivitetit në ekonomitë e përparuara, varet nga fakti nëse robotët do të krijojnë fitime më të mëdha në terma të produktivitetit sesa punëtorët offshore. Për fat të mirë, ne kemi prova empirike që mund të na japin një përgjigje.

Prodhimi offshore në Kinë ose në Evropën Lindore rriti produktivitetin e firmave të vendeve të zhvilluara, sepse pagat në këto rajone ishin shumë më të ulëta se në vendet e tyre. Për shembull,  përdorimi nga kompanitë gjermane i Evropës Lindore, në vend të punëtorëve gjermanë në pjesë të zinxhirëve të tyre të furnizimit, rezultoi në shtim të produktivitetit në të gjithë ekonominë dhe kontribuoi në “super-konkurrencën” e Gjermanisë.

Vlerësimi i fitimeve të produktivitetit nga prezantimi i robotëve është shumë më i ndërlikuar, sepse rezultati varet nga fakti nëse firmat i përdorin robotët thjesht për të zëvendësuar punëtorët, ose në vend të kësaj riorganizojnë prodhimin në mënyrë që të shfrytëzojnë potencialin që ofron AI. Realizimi i kësaj të fundit mund të krijojë vende krejtësisht të reja pune që nxisin rritjen e shpejtë të produktivitetit.

Por studimi i fundit nga Daron Acemoglu dhe Pascual Restrepo tregon që firmat amerikane në ditët e sotme i përdorin robotët kryesisht për të automatizuar detyrat që më parë kryheshin nga punëtorët, sesa për të krijuar vende të reja pune. Ata zbuluan se midis 1947 dhe 1987, zhvendosja e fuqisë punëtore si rezultat i automatizimit u kompensua nga rivendosja e fuqisë punëtore në vende pune të reja të krijuara nga teknologji të tjera të reja. Në tre dekadat e fundit, megjithatë, zhvendosja e punëtorëve ka tejkaluar rikthimin në punë. Si rezultat i kësaj, pjesa e krahut të punës në PBB të SHBA (pjesa e të ardhurave që shkon për punëtorët) ka qenë në rënie që nga mesi i viteve 1980. Fokusi i firmave në automatizim mund të shpjegojë pse rritja e produktivitetit ka qenë kaq anemike në vitet e fundit, pavarësisht nga revolucioni i Inteligjencës Artificiale

Për më tepër, studimet e inovacionit teknologjik sugjerojnë se ekziston periudhë e gjatë kohore nga zbatimi deri në zbulimin e plotë të potencialit të një teknologjie të re. Zbatimi i teknologjive të reja kërkon kohë të konsiderueshme, dhe sa më i thellë dhe më i gjerë ristrukturimi i mundshëm, aq më i madhe mbetet vonesa midis shpikjes fillestare dhe ndikimit të plotë ekonomik. Përfitimi i plotë i teknologjisë shpesh kërkon investime plotësuese që kërkojnë kohë, siç janë ndryshimet organizative.

Këto zbulime sugjerojnë se pandemia nuk do të fillojë të përshpejtojë rritjen e produktivitetit në së afërmi. Kjo, nga ana tjetër ka implikime të rëndësishme në të ardhmen e tregtisë botërore. Në periudhën e hiper-globalizimit nga 1990 në 2008, zinxhirët globalë të furnizimit përbënin 60-70% të rritjes në tregtinë botërore, pasi firmat e vendeve të pasura zhvendosën prodhimin në Evropën Lindore dhe Kinë në mënyrë që të përfitonin nga kostot më të ulëta të punës. Ata më pas importuan inputet e prodhuara në këto rajone në tregun e tyre vendas, duke rritur rritjen e tregtisë së mallrave të ndërmjetme.

Përçarja dhe kthimi në vend i zinxhirit të furnizimit ka të ngjarë të ngadalësojë tregtinë botërore nëse rritja e produktivitetit nuk përshpejtohet në ekonomitë e përparuara. Nëse përdorimi i robotëve rrit produktivitetin e firmave të vendeve të pasura, ata do të bëhen më konkurrues dhe do të prodhojnë më shumë. Kështu, ata do të importojnë më shumë inpute të ndërmjetme nga vendet në zhvillim.

Erhan Artuc, Paulo Bastos dhe Bob Rijkers të Bankës Botërore, argumentuan në lidhje me ketë në një letër të vitit 2018 që paraqiti një pamje më optimiste për tregtinë botërore. Por, një studim tjetër i kohëve të fundit tregon se përdorimi i robotëve në SH.B.A. ka bërë që firmat të tërheqin zinxhirët e furnizimit nga Meksika, duke eliminuar disa punë që më parë ishin në offshore atje.

Pandemia COVID-19 ka pasur një ndikim të madh, të menjëhershëm dhe të matshëm në ekonominë globale dhe modelet e biznesit të firmave. Por efektet në rritjen e produktivitetit do të duan më shumë kohë për t’u gjykuar.

Dalia Marin

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}