Banka Kombëtare Tregtare e mbylli gjysmën e parë të vitit 2020 me një fitim neto në vlerën e 3.6 miliardë lekëve (29 milionë euro). Të dhënat financiare të raportuara nga banka tregojnë se në tremujorin më kritik për ekonominë për shkak të krizës së Covid-19 fitimi i bankës u rrit me katër herë e gjysmë krahasuar me fundin e tremujorit të parë.

Krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar, fitimi neto i BKT-së ka rënë lehtë me 7%. Megjithatë, për kohën që po kalojmë, duket se performanca e bankës më të madhe në vend ngelet mjaft e kënaqshme. Kthimi nga kapitali, i llogaritur me bazë vjetore, ishte sërish mjaft i lartë, në nivelin e 17%.

Të ardhurat neto nga interesat arritën në 6.3 miliardë lekë, rreth 500 milionë lekë më shyumë krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar. Rënia e lehtë e fitimit u përcaktua nga rënia e fortë e të ardhurave të tjera të veprimtarisë bankare.

Burimi: BKT

Në fund të muajit qershor, totali i aktiveve të BKT-së arriti në 411 miliardë lekë ose rreth 3.3 miliardë euro. Vlera e aseteve është rritur me rreth 11.5 miliardë lekë që nga fillimi i vitit.

Ndërkojë, BKT ka ndërmarrë një zhvendosje të fortë në kursin e investimeve, duke ulur ndjeshëm depozitat e vendosura jashtë vendit dhe duke rritur investimet në letrat me vlerë.

Banka e grupit Çalik i ka rritur investimet në obligacione me më shumë se 500 milionë euro në gjysmën e parë të këtij viti. Besohet se një pjesë e madhe e kësaj shume ka shkuar në blerjen e eurobondit të emetuar nga qeveria shqiptare në muajin qershor.

Paralelisht, BKT ka ulur edhe huadhënien në 88 miliardë lekë, rreth tre miliardë lekë më pak që nga fillimi i vitit. Në këto kohëra, bankat po shfrytëzojnë mundësitë për të financuar borxhin qeveritar, me kthime të kënaqshme dhe me rreziqe të kufizuara. Nuk është suprizë që, sidomos bankat më të mëdha dhe me burime të mëdha, preferojnë të mbajnë një qasje më të tërhequr dhe konservatore ndaj sektorit privat.

Megjithatë, rritja e investimit në letra me vlerë, që klasifikohen si aktive me rrezik, e ka ulur ndjeshëm raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të BKT. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit (RMK) ka pësuar një rënie të fortë në 17.57%, nga 21.75% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar.

Ulja e këtij raporti për BKT besohet se ka ndikuar ndjeshëm ecurinë e këtij treguesi për të gjithë systemin bankar. Në fund të tremujorit të parë RMK i sistemit bankar kishte qenë 19.1%, ndërsa në fund të tremujorit të dytë vlerësohet të ketë rënë pranë nivelit të 18%.

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}