Shqipëria është me vonesë në lirimin e brezit më të rëndësishëm të frekuencave që do t’i shërbejë teknologjisë 5G, atij 700 Mhz. Ky brez aktualisht është në përdorimin e operatorëve audiovizivë. Organizatat ndërkombëtare të telekomunikacioneve dhe Bashkimi Europian e kanë përcaktuar këtë spektër për ofrimin e shërbimeve të internetit të lëvizshëm me brez të gjerë.

Bashkimi Europian ka vendosur si datë për lirimin e këtij brezi datën 30 qershor 2020, ndërsa si afat maksimal datën 30 qershor 2022, për rastet e justifikuara, kryesisht të lidhura me nevojën e koordinimit ndërkufitar.

Edhe Shqipëria, në Planin Kombëtar të Frekuencave, të vitit 2017, ka parashikuar që brezi 700 MHz do të ofrohet për shërbime interneti me brez të gjerë në të ardhmen. Vitin e kaluar, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka kërkuar lirimin e këtij brezi brenda datës 30 qershor 2020, në linjë me afatet që ka përcaktuar BE për vendet anëtare. Por, deri më sot, nuk janë ndërmarrë veprime konkrete për lirimin e këtij brezi.

Megjithatë, në fund të muajit korrik, Këshilli i Ministrave miratoi programin për politikën spektrale dhe planin e veprimit. Ky dokument më në fund përcakton disa etapa për lirimin e brezit në fjalë. Në muajin shtator të këtij viti parashikohet fillimi i konsultimeve për opsionet teknike të migrimit të frekuencave, por i gjithë procesi nuk pritet të përmbushet deri në mesin e vitit 2022, që është edhe afati i fundit i përcaktuar nga BE.

Brezi i frekuencave 700 MHz ose i njohur si Dividendi Dixhital 2 është shumë i rëndësishëm për sigurimin e mbulimit universal me internet dhe arritjen e objektivave të Planit Kombëtar të Broadband. Kjo vlen sidomos për zonat me sfida ekonomike, të tilla si zonat rurale malore dhe periferike të vendet, ku shërbimi i internetit mungon ose ofrohet me cilësi shumë të ulët.

AKEP synon nisjen e tenderimit të frekuencave të para 5G që në vjeshtën e këtij viti. Brezi i parë që do të ofrohet për këtë qëllim është ai 3.5Ghz, ku njëri prej operatorëve zhvilloi disa testime në fund të vitit të kaluar.

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}