Pesha e kredisë në valutë është rritur në gjysmën e parë të këtij viti. Analiza periodike e Bankës së Shqipërisë për ecurinë e treguesve që janë objekt i strategjisë së deeurizimit tregon se pas tre vitesh ajo ende nuk dhënë rezultate domethënëse.

Në fund të qershorit 2020, pesha e kredisë në valutë është sa 52.7% e portofolit të kredive të sektorit bankar, ose 1.3 pikë përqindje më e lartë krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar.

Pesha e kredisë në valutë sipas bankave luhatet nga 36% deri në 79%. Gjatë gjysmës së parë të këtij viti, kjo peshë është zgjeruar në portofolet e shumicës së bankave të sektorit. Për shumicën e bankave, pesha e kredive në valutë është mbi nivelin e sektorit në total dhe se ekspozimi i tyre ndaj luhatjeve të pafavorshme të kursit të këmbimit mbetet i rëndësishëm.

Pesha e euros ngelet e lartë edhe në krahun e detyrimeve të sektorit bankar. Në fund të gjashtëmujorit të parë 2020, depozitat në valutë ndaj totalit të depozitave të klientëve shënuan nivelin 52%, krahasuar me 51.7% që ishin në fund të dhjetorit 2019 dhe 51.6% një vit më parë. Për banka të veçanta, ky tregues arrin në 61%.

Në vitin 2017, Banka e Shqipërisë miratoi disa masa rregullatore që synonin uljen graduale të përdorimit të valutës në sektorin bankar.  Megjithatë, deri tani efekti i tyre ka qenë modest. Në mënyrë të përsëritur, Banka e Shqipërisë është shprehur se strategjia mund të ketë sukses vetëm nëse do të shoqërohet me masa që e luftojnë euroizimin e lartë të ekonomisë reale.

Megjithëse në vitin 2017 qeveria shqiptare nënshkroi memorandumin për zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare, deri tani ajo nuk ka ndërmarrë asnjë nismë në shërbim të këtij qëllimi.

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}