Monopoli i parashikuar nga projektligji i ri për ndërtimet në bregdet do të shtrihet deri në 200 metra nga bregu. Pasi ka hartuar një draft të ri, mjaft të diskutueshëm, që vendos kufizime drastike për subjektet që mund të ndërtojnë në, qeveria ka saktësuar edhe përkufizimin e zonës së bregdetit që do të jetë subjekt i këtyre kufizimeve.

Referenca për përkufizimin është vendosur tek ligji “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”. Ky ligj në nenin 4, pika b përcakton se bregu është territori me gjerësi 100 metra në drejtim normal me tokën nga brinja e sipërme e shtratit natyror në brigjet e pjerrëta dhe 200 metra nga vija e nivelit maksimal të plotave në brigjet e sheshta. Kufiri i ndarjes së bregut të pjerrët me bregun e sheshtë është pjerrësia 10% në drejtim normal me bregun.

Përkufizimi është relativisht kompleks dhe kërkon intepretime teknike, duke lënë rrjedhimisht edhe shtigje për trajtime subjektive, megjithatë të paktën vendos kritere konkrete për hapësirën ku shumica e qytetarëve dhe subjekteve nuk do të lejohen të ndërtojnë.

Sipas projektligjit të hedhur nga qeveria për konsultim publik në muajin qershor, të gjitha ndërtimet e reja në bregun e detit do të ndalohen me ligj, përjashtim të koncesioneve, PPP-ve dhe investimeve strategjike.

Projektligji “Për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare”, përcakton se Agjencia Kombëtare e Bregdetit merr kompetenca të plota ligjore mbi menaxhimin e zonës bregdetare të vendit, përfshi ndjekjen e planeve të zhvillimit urban që miratohen nga autoritetet e planifikimit të territorit.

Projektligji përcakton gjithashtu se shteti do të ketë të drejtën e parablerjes, në rastet e shitjes së pronës private në bregun e detit.

Ky projektligj vjen pasi bregdeti është masakruar për pothuajse 30 vjet me ndërtime pa kritere dhe, në shumicën e rasteve, edhe pa leje. Vitet e fundit, në Shqipëri kanë nisur projektet e para të investitorëve strategjikë në bregdet.

Projektligji në fjalë, nëse do të miratohet, favorizon zhvillimin e mëtejshëm të këtyre investimeve, duke i zhvendosur ndërtimet nga investitorët e zakonshëm të paktën 200 metra nga bregu.

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}