Ngaeditor

Me mungesë pajisjesh vaksinimi dhe pavijone COVID-19 të mbipopulluara, Bashkimi Evropian po korr atë që mbolli verën e kaluar kur vendosi t’i ngarkojë Komisionit Evropian porositjen e vaksinave. Nuk kishte as një bazë ligjore dhe as ndonjë justifikim ekonomik për planifikimin qendror.

Një stuhi po i afrohet Bashkimit Evropian për shkak të dështimit të porositjes para kohe të vaksinave të aprovuara COVID-19. Stéphane Bancel, CEO i kompanisë farmaceutike Moderna të SHBA, e cila fitoi miratimin për vaksinën e saj menjëherë pas Pfizer / BioNTech, pretendon se BE është mbështetur tepër në “vaksinat nga laboratorët e saj”.

A i dha Komisioni Evropian përparësi mbështetjes së industrisë farmaceutike para mbrojtjes së jetës së njerëzve? Në fakt, çështja nuk janë e thjeshtë. Përkundër asaj që Bancel dëshiron të na bëjë të besojmë, BE në të vërtetë ka porositur shumë pak vaksinat e veta. Mbi të gjitha, vaksina që po administrohet më gjerësisht në të gjithë Perëndimin u zhvillua nga një kompani gjermane, BioNTech, që vjen nga BE (megjithëse u testua dhe u prodhua pjesërisht në partneritet me Pfizer në Shtetet e Bashkuara dhe me Fosun Pharma në Kinë).

Pasi porositi shumë pak nga vaksina “Amerikane”, BE ndenji duarkryq ndërkohë që SH.B.A. dhe vendet e tjera u furnizuan me dozat e një vaksine që u krijua dhe u prodhua në një laborator gjerman. BE nuk është fajtore për proteksionizmin, por për mungesën e fleksibilitetit institucional. Përhapja e ngadaltë e vaksinave në shumë vende evropiane vjen si rezultat i dështimit të BE-së në koordinimin e interesave të vendeve të ndryshme anëtare. Ndërsa disa vende nuk pranuan çmimin e vaksinës mARN të BioNTech, të tjerët ishin skeptikë për mbështetjen e saj të re teknologjike të bazuar në gjene, dhe pjesa tjetër thjesht nuk e dalluan urgjencën e situatës, pasi supozuan se më e keqja e pandemisë kishte kaluar.

Për të qenë të sigurt, një rivalitet ndër-evropian midis prodhuesve të vaksinave kombëtare mund të ketë ndikuar në mungesën e dëshirës së BE-së për të porositur më shumë nga vaksina gjermane verën e kaluar, siç bënë Amerika dhe vendet e tjera. Si një start-up i vogël nga Mainz, BioNTech kishte pak shanse që të dëgjohej përtej zhurmës së lobimit në Komisionin Evropian nga gjigandët farmaceutikë evropianë.

Cilado qoftë arsyeja, vonesa e madhe në furnizimin me vaksina në Evropë tani është një fakt. Ndërsa SH.B.A., Mbretëria e Bashkuar, Japonia dhe Kanada u përplasën korrikun dhe gushtin e shkuar në përpjekje për të siguruar sasi të mëdha të vaksinës BioNTech, BE fillimisht bëri porosi vetëm tek Sanofi dhe AstraZeneca, të cilat më pas pranuan vështirësitë në provat klinike. Që  pas nëntorit – kur gazetarët filluan të bënin pyetje direkte – BE bëri marrëveshjen e saj të parë për një sasi të vaksinës BioNTech. Kjo u pasua nga blerjet e mëtejshme në dhjetor dhe fillim të janarit, duke përfshirë edhe Moderna-n.

Për shkak të vonesës në porosi, dërgesat po vijnë me vonesë. Mbi të gjitha, prodhuesit po veprojnë mbi bazën “kush vjen i par, shërbehet i par” dhe u duhet kohë për të ndërtuar zona të reja prodhimi. Si rezultat, mediat evropiane të lajmeve janë të mbushura me pamje të qendrave bosh të vaksinimit që ju kanë mbaruar vaksinat, krahas pamjeve të njësive të tej mbushura të kujdesit intensiv. Një ndjenjë  tmerri i pashmangshëm ka kapur publikun e frikësuar evropian. Me këtë ritëm, BE nuk do të ketë asnjë shans të arrijë SH.B.A.-të, MB, Izraelin dhe vaksinuesit e tjerë kryesorë deri këtë verë.  

BE pretendon se i diversifikoi porositë e saj herët sepse nuk mund të dinte cilët nga kandidatët për vaksina do të kishin sukses. Por ky është thjesht një justifikim, duke marrë parasysh faktin që nuk porositi mjaftueshëm nga asnjë prodhues në mënyrë që të ishte në gjendje të vaksinonte njerëzit e saj në rast se vetëm një kandidat i vaksinës arrinte fazën e miratimit – një mundësi e rrallë në atë kohë.

Nëse BE do të rrezikonte të blinte nga secili prej gjashtë prodhuesve me të cilët merrej doza të mjaftueshme për të mbuluar dy të tretat e popullsisë së saj, do të duhej të shpenzonte vetëm 29 miliardë € (35 miliardë dollarë). Për krahasim, kjo është e barabartë me të ardhurat që ka humbur ekonomia e BE-së vetëm gjatë dhjetë ditësh të krizës COVID-19. Dhe duke qenë se tani jo një, por dy vaksina kanë rezultuar shumë efektive, BE do të kishte përfunduar me një tepricë dozash të cilësisë së lartë, të cilat mund t’i kishte dhuruar për rreth 300 milion njerëz të vendeve në zhvillim.

Asnjë vendimmarrës i vetëm nuk e mban fajin për dështimin e vaksinimit në Evropë. Por ky episod duhet të bëjë të qartë faktin që vendet anëtare të BE gabuan që i besuan blerjen e vaksinave Komisionit Evropian verën e kaluar. Neni 5 i Traktatit për Bashkimin Evropian e nënshtron BE-në në Parimin e Subsidiaritetit, i cili i lë veprimet politike në duart e vendeve anëtare, përveç në rastet kur mund të provohet që është më efikas. Kur erdhi puna për të siguruar një furnizim të bollshëm të vaksinave, parimi supranacional u injorua me dashje. Nuk është as një nevojë ligjore dhe as një justifikim bindës ekonomik për planifikimin qendror në prokurimin e vaksinave. Sikur qeveritë e shteteve anëtare të ishin në gjendje të blinin vaksina në mënyrë të pavarur dhe në konkurrencë të drejtpërdrejtë me vendet e tjera në të gjithë botën, atyre mund t’u duhej të paguanin një çmim pak më të lartë, por ata do të kishin bërë porositë e tyre shumë më herët për të shmangur mungesën. Dhe nëse porositë do të ishin bërë më herët, prodhuesit e vaksinave do të ishin në gjendje të investonin më shumë në zgjerimin e kapaciteteve të tyre të prodhimit.

Përfundimisht, planifikimi dhe lobimi qendror nga prodhuesit e konsoliduar, krijuan dështimin e vaksinave në Evropë. Evropianët tani do të duhet të jetojnë me pasojat e një tragjedie që ishte e evitueshme.

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}