Eurobondi i emetuar në muajin qershor nga qeveria shqiptare e ka çuar rezervën valutore në vlerën rekord prej 4.2 miliardë eurosh. Në fillim të muajit qershor Shqipëria shiti eurobonde në vlerën e 650 milionë eurove, me afat maturimi 7-vjeçar dhe me një kupon prej 3.5%. Rritja e rezervës për qershorin korrespondon afërsisht me vlerën e eurobondit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se, krahasuar me një vit më parë, rezerva valutore paraqitet në rritje me 26% ose pothuajse 870 milionë euro.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Përtej faktorëve me ndikim të përkohshëm, rritja e rezervës valutore është një proces që po vazhdon gradualisht prej vitesh. Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu gjithsej 154.6 milionë euro, në programin e ankandeve për nevojat e rezervës valutore. Në harkun e pesë viteve të fundit, rezerva valutore është rritur me rreth 75%.

Në ankandet e planifikuara për t’u zhvilluar gjatë vitit 2020 parashikimi i blerjeve në raundin e parë është për një shumë deri në 102 milionë euro. Megjithatë, shifra është indikative, sepse në këto ankande zakonisht aplikohet edhe opsioni i blerjeve në një raund të dytë.

Në tremujorin e parë të vitit janë organizuar dy ankande, në të cilat janë blerë gjithsej vetëm 13.7 milionë euro. Veç eurobondit, rritja e rezervës valutore këtë vit u ndikua sidomos nga shtesa e SDR-ve në strukturën e mjeteve. Kjo rritje është e lidhur me huanë prej 190 milionë dollarësh që Shqipëria mori nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pas shpërthimit të krizës së Covid-19.

Qëllimi kryesor i rezervës valutore është mbulimi i nevojave të mundshme emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj. Gjithashtu, ajo mund të përdoret në raste të luhatjeve të forta në kursin e këmbimit, kur ato mund të cënojnë stabilitetin makroekonomik të vendit.

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}