Eurosig ka hedhur në gjyq shtetin shqiptar dhe i kërkon mbrapsht 14 milionë euro nga paratë e paguara për blerjen e Insig. Eurosig e argumenton kërkesën për dëmshpërblim me faktin se, sipas saj, Insig nuk kishte llogaritur rezervat e nevojshme teknike për përgjegjësitë e marra pësipër, sidomos në Kosovë.

Çështje të tjera objekt debati kanë qenë dy grabitje të parave të bankave tregtare në vitin 2015, të siguruara nga Insig. Për këto grabitje, Insig nuk kishte llogaritur provigjione, sepse në vlerësimin e kompanisë, asaj nuk i lindte detyrimi për të paguar. Pas mosmarrëveshjeve të gjata dhe kërcënimeve për hapje të proceseve gjyqësore, Insig vendosi t’i paguajë dëmet, edhe për shkak të presionit të bërë nga risiguruesit, të cilët nuk ishin shumë dakord me qëndrimin e kompanisë. Mosllogaritja e provigjioneve për këto ngjarje sigurimi është gjithashtu argument për rezervat e shprehura nga Eurosig ndaj transparencës financiare të Insig në procesin e privatizimit.  

Eurosig fitoi garën për privatizimin e Insig në vitin 2016, me një ofertë prej 2.2 miliardë lekësh ose rreth 16 milionë eurosh. Por, që nga privatizimi, gjërat kanë shkuar keq e më keq për Insig.

Në vitin 2019, degës së Kosovës iu hoq licenca nga autoriteti mbikëqyrës i këtij vendi, për shkak se dështoi të përmbushte rritjen e nevojshme të kapitalit që iu kërkua. Sipas Eurosig, falimentimi i degës së Kosovës lidhet pjesërisht edhe me fshehjen e nivelit të rezervave të nevojshme nga kompania në momentin e privatizimit.

Ndërkohë, eksperti që audituar bilancin e Insig për vitin 2019 ka shprehur një opinion me rezervë. Sipas auditit, Insig nuk ka përfshirë në llogaritjen e treguesve rregullatorë humbje të akumuluara në vlerën e 1.35 miliardë lekëve, që në pjesën më të madhe i takojnë degës së Kosovës. Marrëdhënia me degën e Kosovës krijon pasiguri të mëdha për të ardhmen e Insig deri në përfundimin e procedurës së likujdimit.

Insig vazhdon të ketë gjithashtu mosmarrëveshje me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare lidhur me llogaritjen e nivelit të kërkuar të aftësisë paguese dhe të vlerës së aktiveve në mbulim të provigjioneve teknike.

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}