Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sistemit bankar ka pësuar rënie me një pikë përqindje në tremujorin e dytë të vitit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky tregues zbriti në 18.1%, nga 19.1% që kishte në fund të tremujorit të parë. Megjithatë, kapitalizimi i sistemit bankar ngelet gjashtë pikë përqindje më i lartë se minimumi i kërkuar rregullator.

Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit shpreh raportin mes kapitalit rregullator të sektorit bankar dhe vlerës totale të aktiveve të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut. Rënia e raportit në tremujorin e dytë të vitit ka ardhur paralelisht nga ulja e vlerës së kapitalit rregullator dhe rritjes së aktiveve me rrezik.

Kapitali rregullator i sektorit bankar ra në rreth 152 miliardë lekë, shtatë miliardë lekë më pak krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Kjo rënie u ndikua kryesisht nga efekti negativ në vlerën e kapitalit aksioner nga diferenca e rivlerësimit të aktiveve. Gjithashtu, një impakt ka dhënë edhe ulja e ndjeshme me rreth 20 miliardë lekë e borxhit të varur të bankave, instrument që njihet pjesërisht si kapital rregullator i nivelit të dytë.

Nga ana tjetër, vlera e aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku u rrit po me shtatë miliardë lekë gjatë tremujorit të dytë. Kjo dëshmon kryesisht një rritje të portofolit të kredisë dhe të investimeve në instrumente financiare afatgjata.

Portofoli i kredisë regjistroi një rritje të kënaqshme gjatë tremujorit të dytë, rritje që u mbështet si nga zgjerimi i huadhënies në muajin qershor, ashtu edhe nga shtyrja e kësteve të kredive, që frenoi amortizimin e portofolit ekzistues.

Sistemi bankar ka nivele relative të kapitalizimit ndër më të lartat në Europë dhe në Rajon. Kjo ka ardhur si pasojë e një politike konservatore të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, por në disa raste edhe nga vetë grupet bankare zotëruese, që në disa raste kanë preferuar të mos shpërndajnë fitime dhe të krijojnë nivele kapitalizimi shumë më të larta se kërkesat rregullatore.

Gjatë këtij viti, Banka e Shqipërisë nisi aplikimin e shtesave makroprudenciale të kapitalit, që do të rrisin gradualisht kërkesat për kapital ndaj bankave, me qëllim rritjen e aftësisë së tyre për të përballuar goditje të mundshme në të ardhmen. Ndërkohë, pas shpërthimit të krizës së Covid-19, Banka Qendrore pezulloi shpërndarjen e dividendëve deri në fund të vitit 2020.

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}