Portofoli i kredisë për ekonominë u rrit sërish në muajin korrik, ndonëse në ritme më të ngadalta krahasuar me qershorin. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia arriti vlerën e afro 591 miliardë lekëve, një miliardë lekë më shumë krahasuar me qershorin. Me bazë vjetore, kredia ngelet në rritje pozitive, me afërsisht 6% më shumë krahasuar me korrikun 2019.

Për qershorin, kredia ishte rritur me rreth 7.5 miliardë lekë, por kjo rritje përfshinte edhe një kërkesë të akumuluar nga muajt e mëparshëm, kur bankat pothuajse i ndërprenë disbursimet e reja dhe u fokusuan kryesisht në menaxhimin e shtyrjes së kësteve të kredisë.

Një ndikim pozitiv dha edhe skema e dytë e garancisë sovrane, në kuadrin e të cilës u dhanë afërsisht 1 miliardë lekë kredi. Faktorët e mësipërm kanë dhënë një ndikim më të kufizuar gjatë korrikut.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Nga ana tjetër, rifillimi i shlyerjes së kësteve të kredisë pas moratoriumit të parë po jep gjithashtu efektin e vet në amortizimin e portofolit ekzistues, duke balancuar rritjen nga kreditë e reja. Sipas Bankës së Shqipërisë, faktori me ndikimin kryesor në rritjen e portofolit të kredisë për tremujorin e dytë të vitit ishte pezullimi i pagesës së kredive ekzistuese, me pothuajse 70% të kontributit total për periudhën në fjalë.

Pjesa më e madhe e kredimarrësve që përfituan nga shlyerja e parë nuk aplikuan për një shlyerje të dytë dhe gjatë muajve të verës shumica e kredive besohet se i janë rikthyer shlyerjes normale të kësteve.

Për muajin korrik, rritja e portofolit të kredisë u përcaktua kryesisht nga segmenti i individëve, ndërsa huaja për ndërmarrjet private pësoi një rënie të lehtë. Kreditimi i individëve përgjithësisht është më i qëndrueshëm, edhe për shkak të peshës së lartë që zënë kreditë afatgjata për blerjen e pasurive të paluajtshme. Këto kredi kanë afate më të gjata maturimi dhe amortizim më të ngadaltë në kohë.

Kredia për biznesin është disi më e luhatshme, edhe për shkak të peshës më të lartë që ka kreditimi afatshkurtër për nevoja likuiditeti.

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}