Sistemi bankar po ndjek një tendencë të automatizimit të proceseve, duke vazhduar uljen e numrit të degëve dhe duke rritur pajisjet e shërbimit automatik, si bankomatet apo terminalet elektronike të shitjeve. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në mesin e këtij viti numri i degëve dhe agjencive bankare u ul më tej në 417 njësi, nga 425 që kishin qenë një vit më parë. Që nga fundi i vitit 2011, kur zgjerimi i bankave arriti kulmin, sistemi bankar ka mbyllur gjithsej rreth 160 degë.

Zvogëlimi i rrjetit është një tendencë e ndikuar shumë nga bashkimi mes bankave tregtare dhe ulja e numrit të tyre në treg. Nga 16 dy vjet më parë, tashmë numri i bankave tregtare ka zbritur në 12. Por, paralelisht ky proces po nxitet edhe politikat më konservatore lidhur me degët joeficiente dhe sidomos nga strategjitë e automatizimi dhe dixhitalizimit të shërbimeve bankare. 

Këtë vit, numri i bankomateve është rritur në 708, nga 700 që kishte qenë një vit më parë. Pas rënies së shkaktuar kryesisht nga bashkimet e bankave, numri i tyre po rritet sërish këtë vit. Bankat po tentojnë të shmangin krijimin e ngarkesës në sportele për veprime bazike, siç janë tërheqjet cash, të cilat mund të kryhen përmes bankomateve. Kjo po bëhet duke vendosur apo rritur komisionet për veprimet në arkë, por, duke rritur paralelisht edhe aksesin në bankomate.

Një zhvillim më i rëndësishëm është edhe zhvillimi i shërbimeve për pagesa elektronike, siç janë internet banking apo terminalet elektronike të shitjeve POS. Numri i terminaleve POS në mesin e këtij viti arriti në 11 500, me një rritje prej pothuajse 24% apo 2200 njësi në harkun e një viti. Shtimi i terminaleve POS është i domosdoshëm për të zgjeruar kulturën e pagesës me kartë në blerjen e mallrave dhe shërbimeve.

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}