Shqipëria do të rregullojë më në fund me ligj profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme. Ministria e Drejtësisë ka përgatitur një projektligj që parashikon se ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme duhet të licencohen nga Ministri i Drejtësisë dhe të regjistrohen në Regjistrin e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme.

Kandidatët për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme që plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj do t’i nënshtrohen provimit të kualifikimit. Një provim i tillë do të organizohet të paktën dy herë në vit nga Ministria e Drejtësisë.

Kandidatët duhet t’i nënshtrohen një programi të detyrueshëm trajnimi për aftësimin e tyre me njohuritë e duhura profesionale, por edhe për të raportuar transaksionet e dyshimta me pasuritë e paluajtshme, të cilat mund të kenë si qëllim realizimin e pastrimit të parave. Programi i detyrueshëm i trajnimit do të realizohet nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike ose edhe nga shkolla të tjera që do të akreditohen për këtë qëllim.

Ministri i Drejtësisë mund të miratojë masa disiplinore ndaj ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme që do të përfshijnë paralajmërimet, detyrimin për trajnim shtesë dhe gjobat deri në 50 mijë lekë. Ndërkohë, pezullimi nga detyra deri në pesë vjet si edhe heqja përfundimtare e licencës do të bëhen nga një Komision Disiplinor, që do të drejtohet nga një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë dhe do të ketë në përbërje një përfaqësues të zgjedhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe një përfaqësues të zgjedhur nga Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Tiranës.

Projektligji parashikon që Ministri i Drejtësisë dhe ai i Financave do të përcaktojnë tarifat referuese të shpërblimit të ndërmjetësve, por nuk vendos limite apo kufij tavan për këto tarifa.

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}