Huamarrja e lartë në tremujorin e dytë të vitit ka krijuar një gjendje rekord likuiditeti në llogaritë e qeverisë shqiptare. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit korrik gjendja e depozitave të qeverisë kishte vlerën e 111 miliardë lekëve, ndërsa në fund të qershorit kishte qenë pothuajse 121 miliardë lekë, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.

Pas shpërthimit të krizës së Covid-19, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një program huamarrjeje intensive, me qëllim përballimin e pasojave aktuale dhe të pritshme të krizës. Kjo solli rënie drastike të të ardhurave buxhetore dhe nevojën për rritje të shpenzimeve për amortizimin e pasojave sociale nga mbyllja disamujore e ekonomisë. Por, në total huamarrja ka qenë më e lartë se deficiti i regjistruar në tremujorin e parë.

Përkundrejt një deficiti prej rreth 39 miliardë lekësh, qeveria e rritur stokun e borxhit me rreth 154 miliardë lekë në 6-mujorin e parë. Pjesa më e madhe e këtij borxhi u sigurua nga huamarrja e jashtme dhe kontribuesi kryesor ishte eurobondi në vlerën 650 milionë euro.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Huamarrja e lartë bëri që borxhi të kalojë kufirin e 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, sipas statistikave të Ministrisë së Financave. Njëkohësisht, kjo krijoi një tepricë rekord likuiditeti në llogaritë e qeverisë shqiptare.

Kjo tepricë do të përdoret për të përballuar rritjen e mëtejshme të deficitit gjatë vitit dhe rritjen e pritshme të shpenzimeve qeveritare. Rritja e shpenzimeve lidhet sidomos me programin e rindërtimit pas tërmetit të nëntorit të vitit të kaluar. Por, ndërkohë, 250 milionë euro nga huaja e siguruar nga eurobondi i qershorit do të përdoret për shlyerjen e eurobondit të vitit 2015, që maturohet në vjeshtë.

Qeveria shqiptare ka preferuar të ndërmarrë një huamarrje të shpejtë dhe të përqendruar sidomos në tremujorin e dytë të vitit. Me sa duket, kjo është bërë për t’i paraprirë një përkeqësimi eventual të gjendjes së tregjeve financiare, në kushtet e një pasigurie të lartë që karakterizoi periudhën e shpërthimit të Covid-19 dhe që vazhdon ende sot.

Megjithatë, krijimi i një rezerve të lartë likuiditeti përmes borxhit sigurisht që sjell edhe një kosto. Buxheti do të paguajë interesa edhe për muajt që shuma e huave po mbahet e papërdorur në llogaritë e qeverisë. Huamarrja e hershme, përtej deficitit të krijuar, është një praktikë që është kritikuar shpesh nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, pikërisht sepse krijon kosto për buxhetin.

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}