Rezerva valutore e vendit është në rritje. Statistikat tregojnë se vlera e mjeteve të rezervës ishte gati 3.5 miliardë euro në fund të muajit maj. Krahasuar me një vit më parë, rezerva valutore paraqitet në rritje me 6% ose pothuajse 200 milionë euro. Në harkun e pesë viteve të fundit, rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë është rritur me rreth 60%.

Në muajt e parë të këtij viti, rritja e rezervës është ndikuar sidomos nga shtesa e SDR-ve në strukturën e mjeteve të rezervës. Kjo rritje është e lidhur me huanë prej 190 milionë dollarësh që Shqipëria mori nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pas shpërthimit të krizës së Covid-19.

Rezerva valutore është e investuar kryesisht në obligacione të emetuesve të huaj. Në fund të majit, investimet në tituj kishin vlerën e 2.1 miliardë eurove ose rreth 60% e vlerës totale të rezervës.

Qëllimi kryesor i rezervës valutore është mbulimi i nevojave të mundshme emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj. Gjithashtu, ajo mund të përdoret në raste të luhatjeve të forta në kursin e këmbimit, kur ato mund të cënojnë stabilitetin makroekonomik të vendit. Shqipëria zotëron aktualisht një rezervë valutore sa pothuajse 26% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Rezerva valutore mund të jetë gjithashtu një instrument i fundit emergjence për t’u përdorur në rastet e krizave të mprehta.

Megjithatë, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Guvernatori Sejko tha se për momentin skenari i një ndërhyrjeje me metoda jokonvencionale është më i largët.

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}