Banka e Shqipërisë do të rrisë kërkesat për kapital të nivelit të parë ndaj grupeve bankare dhe financiare. Ndryshimet e propozuara në projektrregulloren për mbikëqyrjen e konsoliduar parashikojnë që raporti mes kapitalit bazë të nivelit të parë dhe aktiveve të ponderuara me rrrezik të rritet nga 4.5% në 6.75%.

Raporti mes kapitalit të nivelit të parë dhe ekspozimeve me rrezik rritet nga 6% në 9%, ndërsa raporti bazë i mjaftueshmërisë së kapitalit qëndron në nivelin 12%.

Ndryshimet nënkuptojnë se grupet bankare dhe financiare do të kenë më pak hapësira për të përdorur kapitalin e nivelit të dytë, me qëllim sigurimin e niveleve të kërkuara të mjaftueshmërisë së kapitalit.

Kapitali rregullator i nivelit të dytë konsiston kryesisht në instrumente financiare që klasifikohen si borxh i varur.

Rregullorja “Për mbikëqyrjen e konsoliduar” i shtrin efektet mbi të gjitha subjektet e licencuara nga Banka e Shqipërisë të cilat janë institucione mbizotëruese në një grup bankar apo financiar. Mbikëqyrja e konsoliduar vendos kërkesa për parametra rregullatorë edhe në nivel të grupit financiar, duke përfshi shoqëritë apo njësitë e tjera nën kontroll.

Pas krizës së gjatë financiare që pati zanafillën në vitin 2008, gradualisht rregullatorët e tregjeve financiare nisën forcimin e kërkesave rregullatore, përfshi ato që lidhen me kapitalizimin. Këtë vit edhe në Shqipëri hynë në fuqi shtesat e para makroprudenciale të kapitalit për bankat tregtare. Ato ndahen në katër kategori, ku një pjesë do të jenë fikse, ndërsa një pjesë do të jenë proporcionale me rëndësinë e bankës dhe me ritmet e huadhënies.

Shtesa e parë, që hyri në fuqi nga marsi i këtij viti, është shtesa konservuese e kapitalit dhe do të jetë e detyrueshme për të gjitha bankat, pavarësisht nga madhësia e tyre. Shtesa konservuese do të jetë me 0.5% në vit deri në në arritjen e një rritjeje maksimale prej 2.5% në vitin 2024. Shtesa tjetër që kanë hyrë në fuqi këtë vit  përfshijnë vetëm pesë bankat e klasifikuara me rëndësi sistemike.

Qasja konservatore e autoritetit mbikëqyrës, por në disa raste edhe e vetë aksionerëve të bankave, ka bërë që Shqipëria të ketë nivele mjaft të larta të mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin bankar. Në fund të tremujorit të parë të këtij viti ky tregues ishte 19.1%

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}