Aksioneri kryesor i Telekom Albania, Spas Rusev, ka finalizuar shitjen e operatorit më të madh bullgar të telekomunikacioneve Vivacom te kompania hollandeze United Group. Marrëveshja ishte njoftuar në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa kalimi zyrtar i pronësisë u njoftua ditën e sotme.

Transaksioni mori miratimin zyrtar nga Komisioneri European për Konkurrencën në muajin prill të këtij viti.

Vlera e shitjes së Vivacom është rreth 1.2 miliardë euro, shumë gati katër herë më e madhe se vlera me të cilën konsorciumi i udhëhequr nga Spas Rusev, Viva Telecom, pati blerë paketën prej 43.3% të aksioneve në vitin 2015. Blerja e Vivacom rezultoi një spekulim mjaft fitimprurës për Spas Rusev dhe ortakët e tij në Viva Telecom.

Paketa kontrolluese e aksioneve u ble në vitin 2015 për 330 milionë euro, në një ankand të organizuar nga banka ruse e investimeve VTB Capital. Banka i pati mbajtur kuotat në fjalë të Vivacom si kolateral për një hua që i pati dhënë ish-aksionerit kryesor, Cvetan Vasiliev. Pasi Vasiliev nuk arriti të shlyente huanë prej 150 milionë eurosh, VTB i nxori 43.3% të aksioneve të Vivacom në shitje.

Por, kjo procedurë u bë objekt i një çështjeje të gjatë ligjore me kompaninë Empreno Ventures, që pretendonte se kishte arritur një marrëveshje me ish aksionerin Vasiliev për të blerë aksionet dhe për të shlyer borxhet ndaj VTB Capital. Pronari i Empreno Ventures, Dimitri Kozarev, akuzoi VTB Capital se nuk e kishte lejuar të shlyente detyrimet e Vasiliev dhe se ankandi i shitjes ishte i manipuluar.

Sipas Kozarev, ankandi kishte si qëllim blerjen e aksioneve nga një grup investitorësh të lidhur me menaxherë të bankës VTB Capital me një çmim shumë të ulët se vlera e tyre reale. Pjesa më e madhe e vlerës së blerjes nga Viva Telecom, rreth 240 milionë euro, u financua sërish nga VTB Capital.

Megjithatë, Empreno Ventures deri tani i ka humbur çështjet gjyqësore të hapura për këtë qëllim në Britaninë e Madhe dhe Luksemburg.

Që nga viti i kaluar, Spas Rusev është edhe pronari i operatorit të dytë më të madh të shërbimeve celulare në Shqipëri, Telekom Albania, në partneritet edhe me biznesmenin shqiptaro-bullgar, Elvin Guri. Konsorciumi në pronësinë e tyre, Albania Telecom Invest (ATI) e bleu Telekom Albania për 50 milionë euro, pasi qeveria shqiptare refuzoi të jepte miratimin për shitjen e aksioneve te ofertuesi më i lartë, kompania publike serbe Telekom Srbija.

Blerja e Telekom Albania nga ATI u financua në pjesën dërrmuese me një kredi nga banka bullgare Fibank. Për të garantuar shlyerjen e kredisë, aksionet e Telekom Albania janë lënë si kolateral financiar te banka bullgare.

Vivacom (emri tregtar i Bulgarian Telecommunications Company (BTC) është operatori më i madh në tregun e telekomunikacioneve në bullgari, me 1.8 milionë klientë në shërbimet fikse dhe të lëvizshme.

Blerësi i ri, United Group është një kompani e regjistruar në Hollandë dhe e pranishme në gjashtë vende të Europës Juglindore, përmes kontrollit të operatorëve të shërbimeve të komunikimit. Prej vitit të kaluar, United Group zotërohet nga kompania e menaxhimit të investimeve BC Partners.

United Group ka fokus zgjerimin në tregjet e telekomunikacioneve të Europës Juglindore. Këtë vit, ajo bleu operatorin kroat TELE2 Croatia, ndërsa është në negociata edhe për blerjen e operatorit grek Forthnet.

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}