Ngaeditor

Tirana Bank është drejt blerjes së institucionit financiar jobankar NOA. Sipas burimeve nga kompanitë, banka e grupit Balfin ka mbyllur due diligence dhe negociatat mes palëve janë në vijim. Dy vjet pas blerjes së Tirana Bank, grupi Balfin po ndjek një strategji të shpejtë zgjerimi në sektorin financiar. Blerja e NOA shihet si një alternativë e mirë për të hyrë në segmentin e biznesit të vogël dhe mikro, pjesë e tregut ku institucionet e mikrofinancës deri tani janë provuar si një model më i suksesshëm.

Aktualisht, pronar i institucionit financiar NOA është kompania britanike Amryta Capital, nëpërmjet fondit të regjistruar në Hollandë, BFSE Holding. Amryta Capital është njëkohësisht edhe aksioneri kryesor në Credins Bank, banka e dytë më e madhe në vend. Zyrtarisht, pas Amryta Capital qëndron familja e biznesmenit britanik me origjinë indiane Rahul Mehta.

Të dhënat më të fundit financiare për NOA i takojnë vitit 2019, kur kompania raportonte një total aktivesh prej 5.8 miliardë lekësh ose rreth 47 milionë eurosh. Në pjesën dërrmuese, aktivet janë hua për sektorin privat të ekonomisë. Portofoli i kredisë në fund të vitit 2019 kishte vlerën e 4.7 miliardë lekëve ose rreth 38 milionë eurove. Rezulati financiar ishte fitimprurës në vlerën e 274 milionë lekëve. Deri në fund të vitit 2019, NOA ishte një kompani mjaft fitimprurëse. Fitimi neto kishte vlerën e 22% të kapitalit total aksioner ose 37% e kapitalit të paguar të kompanisë.

Konsorciumi i përbërë nga grupi Balfin dhe Komercijalna Banka e finalizoi blerjen e 98.83% të aksioneve të Tirana Bank nga Grupi Bankar i Pireut në mars të vitit 2019, për 57.3 milionë euro. Po në mars, grupi Balfin bleu edhe paketën e mbetur prej 1.17% të aksioneve që mbaheshin nga shtetasi grek Ioannis Tzivelis, për rreth 315 mijë euro.

Roli i bankës maqedonase në konsorciumin që bleu Tirana Bank ishte provizor, në funksion të përmbushjes së kushtit që të paktën një nga blerësit të ishte investitor i specializuar, rekomandim i artikuluar shpesh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në procesin e shitjes së disa prej bankave tregtare në Shqipëri. Në Dhjetor të vitit të kaluar, grupi i biznesmenit Samir Mane zyrtarizoi edhe blerjen e 9.88% të aksioneve që mbaheshin nga Komercijalna Banka për 2.72 milionë euro.

Në fund të tremujorit të tretë 2020, Tirana Bank raportonte aktive totale në vlerën e 71 miliardë lekëve. Me 5.2% të tregut, Tirana Bank është aktualisht banka e shtatë për nga madhësia në tregun bankar shqiptar. Pas blerjes nga grupi Balfin Tirana Bank ka nisur një cikël të ri të rritjes në treg. Nga marsi 2019, kur u zyrtarizua shitja, deri në fund të shtatorit 2020, totali i aktiveve të bankës është rritur me 14%.

Gjatë kësaj periudhe, Tirana Bank ka qenë ndër bankat më aktive në kredidhënie. Në një vit e gjysëm, portofoli i kredisë është zmadhuar me 69%. Tirana Bank madje nuk ka hezituar t’i kthehet rritjes së shpejtë në tregun e kredive korporative, që i pati shkaktuar aq shumë probleme në dekadën e fundit të aktivitetit si pjesë e Grupit Bankar të Pireut. Tirana Bank është huadhënësi i pestë më i madh i ekonomisë shqiptare, me 6.6% të portofolit total.

Pas kalimit të pronësisë, edhe performanca financiare e bankës është përmirësuar ndjeshëm. Viti 2019 u mbyll me një fitim neto prej 400 milionë lekësh, ndërsa deri në fund të 9-mujorit 2020 rezultati financiar është pozitiv në vlerën 608 milionë lekëve dhe kthimi nga kapitali në nivelin 8.5%. Mbështetur në raportimin e fundit tremujor, Tirana Bank ka një rrjet prej 35 degësh dhe 475 punonjës.

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}